Picture
Picture

Jeta e re

Jeta e re, e themeluar nga Esad Mekuli, botohet nga viti 1949 dhe është revista letrare me traditën më të gjatë në Kosovë.

Më 1949, numri i parë i revistës Jeta e re kishte vetëm 88 faqe, të cilat tregonin qartë statusin jo vetëm letrar të kësaj reviste, ngaqë aty pos letërsisë, kishte edhe shkrime për muzikë. Gjithashtu u hap konkursi për letërsi (novela, pjesë teatrale, poezi, ese) dhe muzikë (këngë korale), me qëllim të stimulimit të jetës kulturore-artistike në Kosovë. Në vitin e parë të saj, arritën të botohen 3 numra, pra gjithsej 328 faqe brenda vitit.

Nga viti 1950, Jeta e re bëhet revistë dymujore, me 6 numra në vit, ndërsa më 1989, me rastin e 40-vjetorit të saj, me insistimin e Bedri Hysës, i cili asokohe ishte sekretar për kulturë i Kosovës, botohen 12 numra në vit, kurse gjatë viteve ’90, e penguar nga regjimi serb, revista ngadalëson tempon e botimit, por nuk ndalet  deri më 2006, kur, në mungesë të mjeteve finaciare, botohet vetëm një numër dopio. Më 2009, edhe pse me shumë të meta, botohet një numër jubilar. Ndërsa nga viti 2010, me iniciativën e Demë Topallit, formohet një redaksi e re dhe revista fillon të botohet tri herë në vjet, ashtu si më 1949, porse tash me numër rekord faqesh (400-500 faqe për numër), duke u bërë kështu më e madhja revistë letrare shqiptare, në të cilën bashkohen krijuesit shqiptarë anekënd botës, prezantohen autorët e vendeve ballkanike dhe botohen tekste letrare nga shkrimtarët botërorë.

Jeta e re është revistë që ka promovuar shkrimtarët të cilët sot e përfaqësojnë letërsinë e Kosovës. Nga viti 2010, ajo prezanton dhe promovon autorë shqiptarë jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi etj. Gjithashtu në të botohen edhe shkrime të përkthyera nga autorët e mëdhenj botërorë, si: Philip Roth, Umberto Eco, John Barth, Susan Sontag, Marsha Norman, Salman Rushdie, Woody Allen, Eduard Albee, Chinua Achebe, Michel Houellebecq, Mario Vargas Llosa etj.

Përveç Esad Mekulit, i cili e ka drejtuar revistën për 23 vjet më radhë, në Jeta e re janë promovuar, formuar, popullarizuar edhe këta shkrimtarë dhe personalitete të kulturës, si: Mark Krasniqi, Rexhep Hoxha, Ramiz Kelmendi, Rexhep Qosja, Adem Demaçi, Ibrahim Rugova, Din Mehmeti, Anton Pashku, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Sabri Hamiti, Musa Ramadani etj.

Jeta e re, në rrugën e saj të gjatë, është udhëhequr nga këta persona: 

            1. Zekeria Rexha (drejtor, në numrin 1, 1949)
            2. Esad Mekuli (kryeredaktor, nga numri 2, 1949-1972)
            3. Rrahman Dedaj (kryeredaktor, 1973)
            4. Rexhep Qosja (kryeredaktor, 1974)
            5. Hasan Mekuli (kryeredaktor, 1976-1981)
            6. Ali D. Jasiqi (kryeredaktor, 1982-2000)
            7. Sali Bashota (kryeredaktor, 2001-2003)
            8. Demë Topalli (drejtor, 2004-2006)
            9. Ag Apolloni (kryeredaktor, 2010 -)

Derisa viti 1949 shënjon vitin e themelimit të revistës më të vjetër kosovare, viti 2010 shënjon kohën kur kjo revistë arriti të bëhet revista më e madhe shqiptare.